Çdo besimtarë mundohet që një ditë të hyjë në xhenet dhe të kënaqet me bukuritë e tij. Megjithatë, a e dimë se cila është rruga më e shkurtë drejt kënaqësive të xhenetit?

Bamirësia ndaj prindërve

I Dërguari i Allahut s.a.v.s në shumë hadithe të tij ka paralajmëruar se hyrja në xhenet do të jetë e lidhur ngushtë me bamirësinë, respektin dhe nderin tonë ndaj prindërve. Kështu në transmetimin e Ebu Dherrit thuhet se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut se ka thënë: “Prindi është dera e mesme e xhenetit, dhe si të duash, ose largohu prej tyre ose ruaji ato!” (Sujuti thotë se me fjalën dera e mesme e xhenetit mendohet në derën më të mirë të xhenetit. shih Ibn Maxhe, sunen, 2/1208)

Transmeton Ebu Umame r.a se një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s: “O i Dërguari i Allahut, cilat janë obligimet e fëmijëve ndaj prindërve? Ai iu përgjigj: “Ata janë xheneti dhe xhehenemi yt!” (Disa muhadith njërin prej këtyre transmetuesve e konsiderojnë të dobët)

Me kujdesin ndaj prindërve, në të vërtetë mund të fitohet xheneti. Prindërit janë një rast i shkëlqyer që duke qenë bamirës ndaj tyre të fitohet xheneti. Në një hadith që transmetohet nga Ebu Hurejre r.a i Dërguari i Allahut në një rast ka thënë: “ Mjerë ai! Dhe këtë e përsëriti tre herë. Kur sahabët e pyetën: se kush është i mjerë?” Ai u përgjigj: Ai i cili e përjeton pleqërinë e prindërve, ose njërit prej tyre, ndërsa nuk e fiton xhenetin për shkak të tyre!” (Muslimi).

Dëgjimi dhe respektimi i prindërve neve na garanton shoqërimin me pejgamberët, shehidët dhe të sinqertët në Ditën e Gjykimit. Amr b. Murre el-Xhuheni transmeton se një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut, i fali pesë kohët e namazit, jap zeqatin dhe agjëroj muajin e ramazanit.” I Dërguari i Allahut i tha: “Kush vdes, ndërsa i kryen këto obligime, në Ditën e gjykimit do të jetë në shoqëri me të dërguarit, shehidët dhe të sinqertët kështu – duke treguar se do të jenë afër si dy gishta të ngjitur – mirëpo, me një kusht nëse nuk ka qenë i padëgjueshëm ndaj prindërve!” (Ahmedi, Taberani, Ibn Huzejme, Ibn Hibbani).

(Islampress)

Related Posts